Krahina e Lunxhërisë është një trevë etnografike, me kostumet e veçanta të saj, e cila shtrihet përgjatë malit të Lunxhit përballë Gjirokastrës. Lunxhëria bën pjesë në trevat e lashta shqiptare për të cilën konsulli frëng pranë Ali Pashës, Fransua Pukëvil, thotë se: “Lunxhëria banohej nga shqiptarë të krishterë që përbënin një popullsi vendase të lashtë me prejardhje pellazgjike, të vendosur aty para fiseve të vjetra helene”. Ajo që vihet re në shënimet e ishkonsullit frëng kishin të bënin me aftësitë e mëdha të lunxhiotëve dhe talentin e tyre në disa fusha. Mbi të gjitha, ai nxirrte në pah vlerat që ata kishin në bujqësi, ndërtim, zejtari etj., duke përcjellë me mjeshtëri traditat e kësaj zonë të madhe. Por, teksa burrat e trevës ndoqën udhën e emigrimit, të detyruar nga kushtet ekonomike, gratë e krahinës së Lunxhërisë ndoqën këmbë pak këmbe këto vlera, duke i përcjellë edhe në ditët e sotme tek brezat e rinj.

Tregtia lëvizëse i dha një dimension të ri Lunxhërisë, një risi e cila përqafohet sot e kësaj ditë nga trashëgimtarët e familjeve të rëndësishme lunxhiote. Përveçse me historinë, kulturën dhe trashëgiminë tonë, ne lunxhiotët duhet të krenohemi edhe me produktet dhe gatimet tona ushqimore, të veçanta e tradicionale. Gjithçka që prodhohet e lulëzon në Lunxhëri, njihet nga të gjithë për shijen e veçantë të tyre dhe kjo jo vetëm brenda vendit, por dhe nga të huajt. Kur Bajroni, p.sh, kaloi nëpër Lunxhëri dhe qëndroi në Labovë të Kryqit, Qestorat e gjetkë, në mes të ushqimeve të tjera, patjetër që i bënë edhe byrekun lunxhiot, me lakra, me cerepulicë brenda, erëza e çfarë jo tjetër. Aq i shijoi, shkruan në kujtimet e tij, sa pyeti të zonjën e shtëpisë me se e kishte bërë byrekun kaq të shijshëm dhe, i mbajti shënim gjithë asortimentet përbërëse të tij.

Kur mbërriti në Londër, i thotë së ëmës t’i gatuante një të tillë me ç’kishte shkruar në listë. Sigurisht, në një familje lordësh, siç ishte ai, mund t’i kenë hedhur brenda edhe më shumë gjëra, por kur Bajroni provoi ta hante atë, u tha: “Faleminderit, po s’është si ai byreku që hëngra në Lunxhëri...” Natyrisht që nuk do të ishte. Dhe jo vetëm byreku, por gjithçka. Prodhimet natyrore të Lunxhërisë janë me shije krejt tjetër, ashtu si dhe gatimet me to, janë krejt të ndryshme nga të shumë vendeve të tjera e, madje edhe nga të krahinave të tjera rreth nesh. Këtë realitet, me të cilin është rritur secili prej nesh në fshatrat e origjinës sonë, e kanë patur mirë parasysh lunxhiotët Kiço e Madalena Noti, kur filluan të prodhojnë trahananë lunxhiote.