Ideatorja dhe teknologia e përgatitjes së “Trahana Lunxhëria” është bija lunxhiote, e paharruar Madalena Noti (Zerva), me babanë nga Selcka dhe mëmën nga Stegopuli. Ajo diti të gërshetojë në këtë veprimtari, njohuritë e saj si teknologe, me përvojën e saj të gatimeve si amvisë e shkëlqyer. U martua me Kiço Notin nga Minguli, djalin e Perikli dhe Froso Notit, me të cilin kanë dy fëmijë, vajzën që ka studiuar për gjuhë letërsi dhe jeton në SHBA dhe djalin, që ka mbaruar juridikun, i martuar me dy fëmijë. “Kur u martuam me Madalenën jetuam në Tiranë”, tregon Kiço. “Ajo ka punuar në ndërmarrje të ndryshme deri në vitin 1990, ndërsa më pas e derisa ndërroi jetë në vitin 2006, kemi punuar bashkë me tregti, deri kur filluam me prodhimin e trahanasë. Ndërsa unë kam punuar në ndërmarrje të ndryshme në Tiranë, qysh nga viti 1974 e deri në vitin 1990, kohë kur fillova të merresha me tregtimin e artikujve të ndryshëm me pakicë gjer në vitin 1995.
Në këtë vit na lindi ideja e prodhimit tradicional të trahanasë sipas traditës lunxhiote, të trashëguar në breza. E diskutuam në familje, ku nëna, që pas ikjes së parakohshme nga jeta të babait, jetonte me mua në Tiranë si dhe gruaja ime, u treguan të gatshme për një gjë të tillë dhe kështu filluam të prodhonim sasi të vogla, të cilat u shitën shumë shpejt në dyqanin ku tregtonim edhe artikuj të tjerë ushqimorë. Filluan kërkesat për më shumë prodhim, pasi ishte një produkt cilësor dhe i prodhuar në mënyrë artizanale, jo industriale. Kështu, me shtimin e kërkesave për konsum, e lamë tregtimin e artikujve të tjerë ushqimorë dhe iu përkushtuam prodhimit të trahanasë, të cilën filluam ta tregtonim edhe nëpër dyqane të tjera ushqimore, fillimisht në Tiranë. Nga malli që kishim dhe kemi vazhdimisht për Lunxhërinë tonë, aktivitetit tonë i vumë emrin “Trahana Lunxhëria”. Tani mbulon mbi 80% të tregut shqiptar, por edhe më gjerë, jashtë kufijve të Shqipërisë, kudo ku jetojnë shqiptarë.
Kënga Lunxhëria, kushtuar Madalena Notit
Ja kjo është historia e thjeshtë e fillimit dhe e suksesit të “Trahana Lunxhëria”, një aktiviteti ekonomik që na nderon të gjithëve, jo vetëm dhe thjesht nga emri i zgjedhur, por së pari nga cilësia dhe preferenca e tij që sa vjen e rritet në tregun ushqimor. Është edhe krenari, që Trahana Lunxhëria, e drejtuar nga bashkëkrahinasi ynë Kiço Noti, pëlqehet në çdo familje lunxhiote, në çdo familje shqiptare, brenda dhe jashtë kufijve, me kërkesa madje edhe përtej deteve. Këto radhë nuk janë reklamë për “Trahana Lunxhëria”. Një produkt i tillë nuk ka nevojë për reklamë, sepse kushdo që e ka provuar, ia di vlerën dhe nuk e ndan më nga trapezi. Janë respekt për Kiço Notin dhe familjen e tij, për këta duarartë që e nderojnë emrin e Lunxhërisë sonë, i rrisin vlerat e saj, duke vazhduar me besnikëri në traditën e bukur të trashëguar nga të parët e tyre, të parët tanë. Shumë familje lunxhiote e bëjnë trahananë për veten e tyre, ndërsa Kiço Noti e bën për çdo familje shqiptare dhe kjo është një meritë e padiskutueshme e tij, për të cilën i jemi dhe duhet t’i jemi shumë mirënjohës.