Nga Luiza Pinderi

Teknologjia e ka ndryshuar aq shumë mënyrën e jetesës, sa mes nesh dhe prindërve tanë, duket sikur s’ka asnjë pikë kontakti. Ne e kemi vështirë t’i kuptojmë gjërat që bënin dikur në mënyrë artizanale dhe ata e kanë të vështirë t’ia besojnë jetën teknologjisë, siç ndodh sot. Ata nuk i bëjnë dot gjërat tona dhe ne nuk po i ruajmë dot traditat e tyre. Por, fatmirësisht ka disa gjëra që i kanë rezistuar harresës. Një prej tyre është trahanaja, e përftuar nga fermentimi i miellit të grurit me kos. Falë vlerave ushqyese i ka rezistuar kohës dhe përdoret në çdo familje e sidomos në ato që janë rritur me këtë ushqim.

Përveç atyre që e prodhojnë në shtëpi, ka edhe nga ata që e kanë kthyer në biznes. Shesin produktin dhe shpërndajnë traditën. Një prej tyre është Kiço Noti, i cili drejton prej vitesh biznesin Trahana Lunxhëria. Si çdo biznes, asgjë nuk del nga hiçi. Kiço Noti përdori dy elementë që e bënë të suksesshëm, orgjinën dhe eksperiencën.

Kiço Noti

“Unë jam me origjinë nga Lunxhëria. Të gjithë njerëzit e krahinës janë punëtorë dhe të devotshëm. Ata i përdorin shumë zahiretë e dimrit, që midis tyre është edhe trahanaja. Mamaja ime ishte e spikatur në këtë drejtim dhe unë e pëlqeja trahananë që ajo gatuante. Pasi u prishën ndërmarrjet shtetërore, ne mbetëm në rrugë. I thirrëm nevojës tonë fshatare dhe filluam të mendonim të gjitha mundësitë. Unë fillova të merresha me tregti. Merrja mallra dhe produkte ushqimore nga Greqia. Mora një fugon dhe shkoja në Gjirokastër, prej nga sillja pije, peta byreku e gjëra që shiteshin. Dalëngadalë ekonomia filloi të rritej”, tregon Kiço.

Me rritjen e ekonomisë erdhi shtimi i produkteve dhe shtrirja e biznesit. Gruas së tij, Madalena Noti, i lindi ideja që të prodhonin trahananë, traditën e Lunxhërisë. Gjetën disa mullinj bluarje dhe prej aty lindi një histori e re, mes sakrificave dhe punës.
“Filluam të shkonim në çdo dyqan për të prezantuar produktin tonë. Dikush na tallte, të tjerë nuk pranonin të merrnin produktin tonë dhe të tjerë kërkonin ulje çmimi. Vështirësi kishim edhe me paketimin dhe ambalazhimin. Shpenzimet ishin të shumta dhe fitimet të pakta. Fillimi i biznesit ka qenë shumë i vështirë. Tani më marrin në telefon dhe me porosisin sasinë që duan. Kam kontakte pothuajse me të gjithë marketet në Tiranë, Durrës, Elbasan, Vlorë, etj. Korrektësia në çmim dhe në cilësi janë çelësi i suksesit për mua. Pavarësisht rritjes herë pas here të çmimit të lëndës së parë,unë mundohem të mos e ngre çmimin e produktit për të mbajtur klientelën. Nëse ndonjë produkt pëson dëmtim, unë e zëvendësoj dhe klientit i shkon falas”, thotë Kiço.

Madalena Noti

Atëherë kur çdo gjë ishte duke shkuar mirë dhe biznesi po rritej, vjen goditja e parë për familjen. Ajo që e krijoi, fatkeqësisht do të ishte e para që do të shkëputej. Mes errësirës dhe dhimbjes, ka gjithmonë një derë që të çon në dritë. Për Kiçon do të ishte djali i bekuar, siç e quan ai.
“Bëmë goxha lekë dhe filluam të kërkonim shtëpi të re. Donim ta merrnim te liqeni Artificial, por nuk u bë mbarë. U sëmur gruaja dhe ne filluam betejën për t’i shpëtuar jetën. Fatkeqësisht ajo nuk ia doli, vdiq në 2006, pas tre vitesh vuajtje. Pak kohë më parë ishte ndarë nga jeta edhe nëna ime. Aty filluan peripicitë. Biznesi mbeti pas dore.

Unë u demoralizova. Ishte një telefonatë e vajzës nga Amerika që më zgjoi nga ajo përhumbje. Më lajmëroi se djali im do të bëhej baba e unë do të kisha një nip. Ai ishte djali i bekuar. Unë iu futa punës dhe ringrita sërish biznesin”, thotë ai.

Shteti

Sipas tij, që një biznes të ecë, duhet që shteti të vendosë rregulla për të gjithë. Duhet që ligjet të funksionojnë dhe bizneset të paguajnë detyrimet, taksat dhe sigurimet. Kjo bën që konkurenca të jetë e ndershme.
“Kam pasur probleme me Bashkinë. Inspektoriati i Ndërtimit më ka prishur një shtesë të cilën e kisha bërë në funksion të biznesit.I kisha marrë me kredi të gjithë lekët që më ikën dëm. Bashkia e prishi pa të drejtë e nuk më kompesoi. Madje jam ende në proces gjyqësor. Dy-tre vitet e fundit pata sukses të madh. Janë vendosur rregulla dhe janë  bërë reforma. Çmimi i miellit, si lëndë e parë ka ardhur duke u ulur. U selektuan bizneset që nuk ishin të rregullta, të cilat konkurronin në mënyrë të pandershme.
Jam goditur, duke më vënë dy gjoba në ajër për energjinë elektrike. Nëse nuk i paguaja më fusnin në listën e zezë. I likujdova duke marrë borxh. Por, jam krenar që e kam biznesin në këmbë. Janë gjithë këto vite punë. Kam humbur e fituar, kam edhe borxhe, por mbi të gjitha kam fituar një biznes”, thotë ai.

E shkuara

Kiço Noti tregon se muajt më të ngarkuar me punë janë tetori, nëntori, dhjetori dhe janari. Prandaj, në këtë periudhë, nëpërmjet Zyrës së Punës, merr deri në 12 punëtorë, të cilët duhet të jenë shumë të kujdesshëm me higjenën dhe pastërtinë në prodhimin e trahanasë. Rregullat janë strikte dhe ju diktohen punëtoreve edhe në muret e punishtes.
Noti thotë se pavarësisht sakrificave ndër vite dhe ecurisë së mirë të biznesit sot, në mundësinë e parë që do të paguhej mirë, do hiqte dorë prej tij dhe do ta shiste.
“Djali im është i punësuar në profilin për të cilin është arsimuar. Nuk mund ta mbajë dot këtë biznes. Unë ia dola, sepse kam qenë i çeliktë”, thotë Kiço.

E ardhmja

Epo ky është cikli i jetës e cikli i biznesit. Asgjë s’mund të mbijetojë pafundësisht. Gjërat mund të transformohen, për të mos humbur. Trahanaja nuk mund ta bëjë këtë. Ajo mbetet trahanaja, mielli i fermetuar me kos, e gatuar me gjalpë dhe djathë. Është ushqimi që na kujton të kaluarën, na kujton gjyshërit e prindërit tanë./dritare.net