Ju duhen pak përbërës për të pasur një pjatë të tillë plot shije. Me beshamelin e bërë me miell orizi, është e përshtatshme dhe për ju që jeni të ndjeshëm ndaj glutenit.
Përbërësit për 4 persona:
- 500 gr presh
- 2 lugë vaj ulliri
- 1 lugë me susam të zi ose të bardhë
- Disa degë trumze
- 1 lugë me Parmigiano të grirë
Për beshamelin me Miell Orizi:
- 100 gr. gjalp
- 100 gr. miell orizi
- 600 ml. qumësht
- Pakëz arrë myshku
- 1 lugë të vogël kripë
- Pak piper të zi
Përgatitja:
Pastroni preshin mirë duke hequr pak pjesën e gjetheve dhe pritini në copa të mëdha gati në 3-she. Vendosini të ziejnë në ujë me kripë për 10-15 minuta. Kullojini me kujdes që mos i prishni formën dhe renditini në një tavë të lyer me vaj ulliri poshtë. Shtoni gjethe trumze, pak piper të zi dhe kripë.
Ndërkohë përgatisni beshamelin duke shkrirë gjalpin, shtoni miellin e orizit dhe vazhdoni skuqeni, por mos e lini të marrë shumë ngjyrë. Më pas jashtë zjarrit shtoni qumështin, përzieni vazhdimisht që mos ju bëhet me kokrriza dhe vendoseni përsëri në zjarr që të trashet.
Shtoni kripën, piperin dhe arrën e myshkut dhe lëreni mbi zjarr duke e përzierë pa ndalë derisa të trashet.
Shtoni salcën sipër preshve duke i mbuluar plotësisht ato. Spërkateni sipërfaqen me djathë të grirë, susam dhe pak vaj ulliri sipër. Piqeni në furrë të nxehur më parë në 180°C derisa sipërfaqja të jetë e thekur mirë.
Shërbejeni të ngrohtë.